Lidhje

25 vjetori i teleskopit Hubble


Si sot 25 vjet më parë, anija e hapësirës Discovery lëshoi teleskopin Hubble – një mjet zbulimi i pajisur me instrumente të fjalës së fundit që synonin t’i sillnin njerëzimit sekretet e gjithësisë.

Në këtë çerek shekulli teleskopi Hubble na ka sjellë pamje mahnitëse të gjithësisë. Përveç mrekullive pamore të kozmosit, ai ka zbërthyer mistere shkencore që do të vazhdojnë të studiohen për vite me radhë.

Falë teleskopit Hubble dhe pamjeve që ka përcjellë në Tokë nga sistemi ynë diellor, astronomia ka bërë një hap gjigand përpara.

Teleskopi ka përshkuar çdo cep të horizontit të njohur astronomik, na ka sjellë të dhëna mbi ritmet e zgjerimit të gjithësisë, formimin e galaksive pak pas shpërthimit të madh që solli krijimin e universit dhe përbërjet kimike e kushtet klimatike të planeteve për të mundësuar ekzistencën e jetës.

Shumë gjëra që dikur i imagjinonim apo i lexonim në libra fantastiko-shkencorë, sot i gjejmë në tekste shkollore falë të dhënave që na ka dërguar Hubble.

Teleskopi ishte parashikuar të punonte vetëm 15 vjet, por vazhdon punën megjithëse ka mbushur 25 vjet, falë projekteve riparuese ndër të cilat 32 ecje në hapësirë dhe një numër shkencëtarësh që janë marrë me mirëmbajtjen e tij.

Çdo vit afro 500 mijë mësues shkollash dhe 6 milionë nxënës përdorin fakte shkencore të zbuluara nga teleskopi Hubble. Me modernizimet dhe riparimet që janë bërë, ai realizon sot projekte shumë më të sofistikuara se kur u lëshua në vitin 1990 dhe pritet të vazhdojë punën deri në fund të kësaj dekade.

XS
SM
MD
LG