Lidhje

Hiqet ndalim-qarkullimi në Baltimore


Kryebashkiakja e Baltimorës Stephanie Rawlings-Blake hoqi ndalim-qarkullimin e vendosur për orët e natës në qytet, ndërkohë që mijëra protestues përgatiten për një javë të dytë protestash pas vdekjes së një 25-vjeçari afrikano-amerikan gjatë mbajtjes nën arrest nga policia.

Në një intervistë të dielën për rrjetin CBS, zonja Rawlings tha se donte të falenderonte popullin e Baltimorës për durimin e treguar, duke thënë se banorët “duan një sens qetësie dhe paqeje” në qytet në mënyrë që komuniteti të fillojë procesin e shërimit.

“Synimi ka qënë që ndalim-qarkullimi të mos ishte në zbatim qoftë edhe një ditë më tepër se ç’ishte e nevojshme dhe mendoj se e kemi arritur atë moment”.

Të shtunën në mbrëmje policia e qytetit arrestoi mbi 10 vetë për shkeljen e ndalim-qarkullimit. Protestat që kanë vazhduar për një javë, u organizuan pas vdekjes së 25 vjeçarit Freddie Gray, i cili pësoi lëndime në shtyllë kurrizore, kur u arrestua nga policët. Ndaj gjashtë policëve ka filluar procesi për ngritjen e akuzave.

XS
SM
MD
LG