Lidhje

Grady Gaines, legjendë e rock and rollit


Muzika që njihet sot si Rok en Roll lindi nga zhanra të tjerë si Blues dhe Rhythm and Blues dhe pushtoi skenat amerikane në vitet 1950. Një nga muzikantët që ndihmoi për t’i dhënë formë këtij stili ishte saksofonisti Grady Gaines, i cili ka dhënë koncerte me emra të njohur si Little Richard, Sam Cooke, Fats Domino e të tjerë. Siç njofton korrespondenti Greg Flakus nga Hjustoni, Gaines rrëfen historinë e tij në një libër të ri:

Gjatë viteve të furishme të rock en rollit, Little Richard mbretëronte në skenën e artit dhe saksofonisti Grady Gaines ishte ndër instrumentistët më të njohur dhe interpretonte me të.

Xhirime nga filmi Don’t Knock the Rock i vitit 1956, tregojnë adoleshentë të bardhë të ekzaltuar nga muzika, së cilës i dhanë popullaritet përtej dallimeve racore. Gaines thotë se muzikantët nuk e kuptonin në atë kohë sa e fuqishme ishte muzika e tyre:

“Nuk e dinim se po krijonim rock en rollin, pasi mendonim se po këndonim rhythm and blues”.

Gaines thotë se merita për popullaritetin e rock en rollit i takon artistit Little Richard dhe stilit të tij ekstravagant.

“Ai ishte në fakt i pari që krijoi këtë zhanër specifik, Little Richard e krijoi rock en rollin”.

Por në autobiografinë e tij të re, Gaines rrëfen se në kulmin e famës, Little Richard u tërhoq nga jeta e interpretuesit për t’u bërë prift. Atëherë, kurora e mbretit të rokut i kaloi Elvis Prestleyt. Vetë Grady Gaines filloi të interpretonte me Sam Cooke, i cili kishte një stil tjetër.

“Kur interpretoja me Sam Cooke, luaja në një stil shumë më të shtruar dhe përpiqesha që orkestra të ndiqte nuancat e tij muzikore”.

Gaines më pas interpretoi me emra të tjerë të mëdhenj të muzikës, para se të kthehej në Hjuston ku vazhdon jetën artistike. Ai tani po promovon librin e tij I’ve Been Out There me bashkëautorin Rob Evans, i cili e ndihmoi të rrëfente historinë.

“Shkova në shtëpinë e Grady Gaines me një audio-regjistrues. Pasi kisha studiuar jetën e tij, kisha përgatitur disa pyetje për momente të ndryshme të jetës”, thotë Rob Evans.

“Jam përpjekur të rrëfej çdo gjë në këtë libër, aq sa më kujtohet. Sa herë e lexoj librin, më duket sikur po i përjetoj përsëri ato pjesë të jetës”, tregon Grady Gaines.

Rob Evans thotë se i ka ngelur peng që nuk arriti të intervistojë Little Richard:

“Fillimisht mendova se do ta përfshija në libër, se do të flisja me të për të mësuar si e përfshiu Grady-n në grupin e tij, por në atë kohë ai ra shumë nga shëndeti dhe nuk ishte në gjendje të jepte intervista”.

Grady Gaines, tashmë 81-vjeç, vazhdon të interpretojë, kryesisht në organizime private dhe ata që e kanë njohur prej vitesh mrekullohen kur dëgjojnë tingujt nga kjo legjendë e gjallë e rock en rollit.

XS
SM
MD
LG