Lidhje

Qendra e refugjatëve në Nju Xhersi


Retorika politike në SHBA për refugjatët sirianë është shtuar nga ana e kandidatëve republikanë për president, të cilët kundërshtojnë vendosjen e tyre në Shtetet e Bashkuara. Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, njëkohësisht edhe kandidat për president, ka thënë se SHBA nuk duhet të marrin refugjatë sirianë, edhe nëse janë “jetimë nën moshën 5-vjeçare”. Por, një organizatë bamirëse pikërisht në shtetin e tij, Nju Xhersi, vazhdon të ndihmojë refugjatët të gjejnë një strehë të re.

Pas sulmeve të Parisit, shumë politikanë në SHBA kanë shprehur shqetësimin se refugjatët sirianë mund të jenë realisht terroristë dhe Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për shtimin e protokolleve shtesë të sigurisë. Presidenti Obama ka premtuar ta bllokojë këtë ligj nëpërmjet vendosjes së vetos, edhe nëse miratohet nga Senati. Kundërshtarët e kësaj mase thonë se kontrolli i refugjatëve është mjaft i fortë dhe përfshin një numër të madh agjensish qeveritare.

Organizata Church World Service, me qendër në qytetin e Xhersit, ka sjellë në SHBA rreth 150 refugjatë që nga muaji prill. Drejtor është Mahmoud Mahmoud.

“Edhe këtë javë kemi sjellë familje. Sot dhe nesër do të presim dikë në aeroport. Gjatë kësaj jave kemi pritur 4 familje të ndryshme.”

Që në vitin 2011, prej Sirisë janë larguar tre milionë burra, gra dhe fëmijë, shumë në këmbë. Një pjesë e tyre arritën në kampe refugjatësh.

Së bashku me familjen, Hussam Alroustom sapo ka mbërritur në SHBA.

“Jeta ishte shumë e vështirë. Qeveria shkonte për kontroll shtëpi më shtëpi. Njerëzit kontrolloheshin edhe rastësisht. Kishte raste përdhunimesh, shumë grabitje dhe vjedhje të shtëpive. Dhe pas gjithë këtyre, filluan të binin edhe predhat mbi shtëpitë e njerëzve.”

Pavarësisht retorikës politike, Church World Service thotë se refugjatët kontrollohen imtësisht.

“Ka pesë agjensi zbulimi që punojnë së bashku për të kontrolluar siç duhet këta refugjatë përpara se të vijnë në SHBA. Refugjatët janë njerëzit më të kontrolluar që hyjnë në SHBA.”

Një punonjës i organizatës i tregoi Zërit të Amerikës një depo ku mblidhen mobilje, rroba, dhe kukulla fëmijësh për refugjatët që vijnë. Megjithë rritjen e donacioneve, organizata thotë se po shtohen nevojat pasi refugjatët që mbërrijnë kanë vetëm rrobat e trupit.

XS
SM
MD
LG