Lidhje

SHBA, vazhdojnë debatet rreth ish shefit të FBI-së


Hetimi mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e fundit amerikane vazhdon të konsumojë Uashingtonin edhe pse Presidenti Donald Trump ndodhet në vizitën e tij të parë jashtë vendit. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë nuk ka konfirmuar e as mohuar një njoftim mbi takimin me zyrtarët rusë, në të cilin thuhet se Presidenti Donald Trump ka diskredituar ish-drejtorin e FBI-së James Comey.

Ndërkohë që Presidenti Trump dhe anëtarët e kabinetit të tij ndodheshin për vizitë në Arabinë Saudite, Shtëpia e Bardhë u përpoq të shmangte pyetjet rreth një artikulli të gazetës New York Times, në të cilin presidenti e përshkruante ish drejtorin e FBI-së, James Comey si njeri "të lajthitur" dhe thoshte se shkarkimi i tij kishte hequr një “presion të madh”.

"Nuk e mbaj mend saktësisht se çfarë tha presidenti dhe shënimet që gazeta New York Times ka nuk mendoj se janë pjesë e transkriptit të drejtpërdrejtë",

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster ishte i pranishëm në takimin e Presidentit Trump me ministrin e jashtëm dhe ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara. Në një intervistë për programin This Week të kanalit ABC, McMaster anashkaloi pyetjet e përsëritura në lidhje me atë nëse zoti Trump kishte folur me diplomatët rusë mbi ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

"Qëllimi i asaj bisede ishte një përpjekje për të lëvizur përtej lajmeve që lidhen me Rusinë në mënyrë që ne të mund të gjejmë hapësira të përbashkëta bashkëpunimi".

Por, hetimi i Departamentit të Drejtësisë mbi ndërhyrjen ruse u intensifikua me emërimin e një prokurori të posaçëm të autorizuar për të shqyrtuar këtë çështje, përfshirë motivet për shkarkimin e zotit Comey.

"Ne nuk e dimë nëse ka patur bashkëpunim mes Rusisë dhe rrethit të ngushtë të zotit Trump. A është shkarkuar James Comey në një përpjekje të pasuksesshme për të penguar hetimin? Këtë duhet ta shikojmë", tha Brad Sherman, ligjvënës Demokrat .

Media njofton se përpara se të shkarkohej, James Comey, në shënimet që kishte mbajtur në lidhje me takimet me Presidentin Trump, kishte thënë se presidenti i kishte kërkuar atij të pushonte hetimin ndaj ish këshilltarit të sigurisë kombëtare, Michael Flynn. Nëse është e vërtetë, komisionet e shumta të kongresit duan t’i shohin transkriptet e shënimeve që ka mbajtur ish drejtori i FBI-së kur ishte në detyrë.

"Askush nuk i ka parë këto dokumente. Nuk e di se ku ndodhen ato. Nuk e di nëse ato ekzistojnë, por natyrisht që ne jemi në kërkim të tyre", tha Jason Chaffetz, ligjvënës republikan.

"Mendoj se dokumentet do të na ndihmojnë të mësojmë se çfarë është e vërtetë e çfarë jo. Ne duhet të kuptojmë saktësisht nëse ka patur ndonjë lloj pengimi të drejtësisë", tha Elijah Cummings, ligjvënës demokrat.

Veteranët e administratave të kaluara kanë shprehur mendimin e tyre.

"Shpresoj që të kemi më pak dramë nga Shtëpia e Bardhë. Ne kemi nevojë për shtypin, por mendoj se ai duhet të jetë më i përmbajtur", tha Condoleezza Rice, Ish Sekretare e Shtetit.

James Comey në javët e ardhshme pritet të japë një dëshmi publike para Kongresit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG