Lidhje

Kryebashkiaku socialist i Libohovës, i pandehur për “Shpërdorim detyre”


Leonard Hide, kryebashkiak i Libohovës
Leonard Hide, kryebashkiak i Libohovës

Në Shqipëri, kryebashkiaku socialist i Libohovës, në jug të vendit, Leonard Hide, është marrë i pandehur nën dyshimet për shpërdorim detyre. Akuza ndaj tij është ngritur për periudhën kur ai nuk ishte zgjedhur ende kryetar i Bashkisë, por ishte shef i Krimeve pranë komisariatit të Gjirokastrës.

Ka qenë prokuroria e këtij qyteti e cila ka kryer hetime që përfshijnë zotin Hide së bashku me shefin e Komisariatit dhe disa punonjës të tjerë policie të cilët dyshohen të kenë toleruar kultivimin e kanabisit.

Sipas prokurorisë, në të paktën 5 raste, ai dhe kolegët e tij të policisë, nuk kanë kryer kontrolle, apo hetime të mëtejshme në zona ku ka patur dyshime për kultivim të marijuhanës apo dhe aty ku verifikimet me dronë, kanë identifikuar sipërfaqe të mbjella më bimë narkotike.

Në mbyllje të hetimeve, Hide ishte zgjedhur në krye të Bashkisë së Libohovës dhe prokurori i çështjes në Gjirokastër ka shpallur moskompetencën, duke ia deleguar çështjen Prokurorisë së Posaçme. Kjo e fundit ka marrë dy javë kohë për të vlerësuar rastin, nëse duhet të jetë ajo që të vijojë procedurën, duke qenë se veprat për të cilat ai dyshohet janë kryer përpara zgjedhjes së tij si kryebashkiak.

Vetë zoti Hide, deklaroi sot në dalje nga Prokuroria e Posaçme, se ai nuk kishte patur dijeni për hetimet, kur vitin e kaluar konkurroi për Bashkinë e Libohovës. I pyetur nga gazetarët nëse do të ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nga detyra për t’u përballur me Drejtësinë ai dha një përgjigje jo fort të qartë: “Patjetër, nëse do të duhet”, deklaroi zoti Hide. Emri i tij, i shtohet një liste jo të vogël, ish kryetarësh apo kryebashkiakësh socialistë, të cilët janë vënë nën hetime, apo dhe janë dënuar nga Struktura e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK.

XS
SM
MD
LG