Lidhje

Thirrje për kompensimin e romëve që jetuan në kampe në veriun e Kosovës


Një grup organizatash për të drejtat e njeriut i bëri thirrje të martën Kombeve të Bashkuara që të kompensojë sa më parë pjesëtarët e komunitetit rom të cilët kishin qëndruar në një zonë të kontaminuar në veriun e Kosovës pas luftës së vitit 1999.

Në një letër të hapur drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shefes së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Caroline Ziadeh si dhe shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, organizatat joqeveritare kërkojnë punë të përbashkët “për t’i dhënë më në fund një zgjidhje situatës së pjesëtarëve të komunitetit rom të helmuar në Mitrovicë”.

Afërsisht 600 pjesëtarë të komuniteve rom, ashkali dhe egjiptas kishin qëndruar në kampet në Zhikoc, Çeshminlug e Osterode në veri, afër kombinatit metalurgjik Trepça, përkatësisht në zona të ndotura me mbetje industriale, të administruara nga misioni i athershëm i Kombeve të Bashkuara UNMIK-u.

“Situata, të cilën Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut e quajti "problemi më serioz humanitar dhe mjedisor në Evropë", rezultoi në disa vdekje dhe sëmundje dhe paaftësi të vazhdueshme midis banorëve të kampit. Anëtarët e prekur të komunitetit vazhdojnë të luftojnë me komplikimet shëndetësore që lidhen me ekspozimin ndaj plumbit”, thuhet në letër

Tetë vjet më parë, Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut në Kosovë nëpërmjet një vendimi bëri përgjegjës misionin e Kombeve të Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut duke i bërë thirrje që të kompensojë dëmet materiale dhe morale si dhe të kërkojë ndjesë publike nga viktimat dhe familjarët e tyre.

“Megjithatë, fondi i mirëbesimit i krijuar nga OKB-ja për këto komunitete mbetet kryesisht i pafinancuar dhe nuk trajton dëmin e pësuar nga viktimat. Viktimat ende nuk kanë marrë kompensim për dëmtimet e tyre as qasje në kujdesin mjekësor për të trajtuar efektet e vazhdueshme të helmimit nga plumbi”, thuhet në letër.

Kampet janë braktisur përfundimisht në vitin 2010 dhe banorët janë vendosur në zona tjera, pjesa më e madhe në pjesën jugore te Mitrovicës, të banuar me shumicë shqiptare.

Analizat e kryera nga zyra e Komisionit Evropian dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2010 tek 78 fëmijë të këtyre komuniteteve dëshmuan për rënien e shkallës së pranisë së plumbit në gjak pas largimit nga kampet e improvizuara në veri.

Ndër të tjera, në letër theksohet se refuzimi i Kombeve të Bashkuara për të marrë përgjegjsinë në Kosovë dëmton viktimat por edhe mbarë komunitetin rom në Evropë.

“Kombet e Bashkuara duhet ta shndërrojnë vendimin e Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut në rezultate konkrete. Mbyllja e këtij kapitulli të dhimbshëm të historisë do të ishte një hap madhor për zhvillimin e këtij komuniteti në Kosovë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga mbi dhjetë organizata për të drejtat e njeriut.

Përfaqësues të organizatave humanitare thonë se komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë vazhdojnë të përballen me diskriminim. Ata bëjnë thirrje për më shumë angazhim në përmirësimin e kushteve të jetesës për këto komunitete që janë integruar në sistemin politik të vendit, por të drejtat e tyre janë ende shpeshherë të cunguara.

XS
SM
MD
LG