Lidhje

BE, hetim ndaj kompanive kineze të turbinave për ndikimin e subvencioneve në ofertat e tyre


FILE - European Commissioner Margrethe Vestager pauses at a press conference in Brussels, Belgium, March 5, 2024.
FILE - European Commissioner Margrethe Vestager pauses at a press conference in Brussels, Belgium, March 5, 2024.

Komisioni Evropian njoftoi të martën një hetim ndaj furnizuesve kinezë të turbinave të prodhimit të energjisë me erë për të përcaktuar nëse subvencionet e huaja u kanë dhënë atyre një avantazh të padrejtë në tregun evropian.

Komisionerja e BE Margrethe Vestager tha të martën se kushtet e zhvillimit do të kontrollohen për qendrat e prodhimit të energjisë nga era në Spanjë, Greqi, Francë, Rumani dhe Bullgari.

Komisionerja Vestager tha se Bashkimit Evropian do t'i duhet një qasje më sistematike, hetimi i secilit rast veçmas, e jo një hetim i përgjithshëm.

“Duhet ta bëjmë ketë para se të jetë tepër vonë”, tha ajo.

"Ne nuk mund të lejojmë atë që ndodhi me panelet diellore të përsëritet me automjetet elektrike, turbinat e prodhimit të energjisë nga era apo mikroprocesorët", shtoi zonja Vestager, duke iu referuar dominimit kinez në tregun evropian të paneleve diellore.

"Sot më pak se 3% e paneleve diellore të instaluara në BE prodhohen në Evropë", tha zonja Vestager.

Ajo shpjegoi se hetimet “nuk kanë për qëllim të kufizojnë suksesin e Kinës. Ato kanë për qëllim të rivendosin drejtësinë në marrëdhëniet tona ekonomike.”

Hetimi bazohet në rregulloren e vitit 2023 për subvencionet e huaja, e cila nga viti i kaluar lejon vlerësimin ndikimit të subvencioneve të huaja për kompanitë, që paraqesin oferta publike në vendet e BE-së, që mund të jenë shumë më të favorshme se rivalët e tyre.

Kjo pason dy hetime të tjera, që mbaruan javën e kaluar, duke nxjerrë përfundmin se kompanitë kineze, që kishin fituar një kontratë për ndërtimin e një parku të prodhimit të energjisë diellore në Rumani, përfituan në mënyrë jo proporcionale nga subvencionet.

Një tjetër hetim për ndikimin e subvencioneve të huaja filloi në tetor të vitit të kaluar ndaj prodhuesve kinezë të automjeteve elektrike nën dyshimin se subvencionet i lejuan firmat kineze të mbanin çmime të ulëta dhe të fitonin një avantazh të padrejtë në treg.

Kina i ka quajtur më parë shqetësimet perëndimore për subvencionet e kompanive elektrike "të pabaza" dhe ka pohuar se suksesi i vendit në tregun ndërkombëtar është arritur falë novacionit.

Disa informacione në këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Agence France-Presse.

XS
SM
MD
LG