Lidhje

Aborti në SHBA, e drejtë personale apo e shteteve


Abortion Arizona Supreme Court
Abortion Arizona Supreme Court

Aborti është një nga çështjet kryesore të fushatës presidenciale këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Joe Biden thotë se aborti është një çështje e lirisë personale, ndërsa kandidati republikan Donald Trump thotë se shtetet duhet të vazhdojnë të kenë autoritetin për të miratuar ligjet e tyre për abortin.

Aborti në SHBA, e drejtë personale apo e shteteve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00


Në kryeqytetin e Arizonës të dielën u mbajt një protestë kundër vendimit të javës së kaluar nga Gjykata e Lartë e shtetit, që i hapi rrugën zbatimit të një ligji të viteve 1800, që ndalon pothuajse të gjitha abortet në shtetin jugperëndimor.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris thotë se të drejtat e abortit janë një luftë për mbrojtjen e lirive personale.

“Në Amerikë, liria nuk duhet jetë diçka që mund të hiqet dhe mund të jepet. Ajo është një e drejtë, që përfshin lirinë për të marrë vendime për trupin tuaj pa ndërhyrjen e qeverisë”, tha ajo.

Shtetet amerikane morën të drejtën e miratimit të ligjeve për abortin pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të vitit 2022, i cili i dha fund të drejtës kushtetuese për abort, të bazuar në një vendim të vitit 1973 të Gjykatës së Lartë, të njohur si ‘Roe kundër Wade’.

Donald Trump emëroi tre nga gjashtë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët mbështetën vendimin e vitit 2022 dhe thotë se të drejtat që gëzojnë shtetet tani, eliminojnë nevojën për një ndalim në nivel kombëtar të abortit.

“Nuk kemi më nevojë për këtë, sepse ne arritëm atë që askush nuk mendonte se ishte e mundur, rrëzimin e vendimit ‘Roe kundër Wade’ dhe kthimin e çështjes së abortit tek shtetet. Tani shtetet po punojnë shumë mirë, në disa raste po tregohen konservatore, në disa raste jo konservatore, por kjo po funksionon ashtu siç parashikohej”, tha zoti Trump.

Ndihmësit e zotit Biden thonë se për shkak se ish Presidenti Trump rrëzoi të drejtën federale të abortit, ai "është përgjegjës për vuajtjet dhe kaosin që po ndodh tani, përfshirë situatën në Arizona".

“Për shkak të Donald Trumpit, më shumë se 20 shtete në vendin tonë kanë ndaluar abortin. Një në tre gra në vendin tonë jetojnë në një shtet, që ka ndaluar abortin për shkak të zotit Trump”, thotë Nënpresidentja Kamala Harris.

Ndërsa zoti Trump thotë se shtetet më konservatore duhet të kenë lirinë për të miratuar ligje më konservatore, ai u tha gazetarëve se vendimi i Arizonës, i cili nuk bën përjashtime për përdhunimin ose incestin, shkon shumë larg.

“T’ju them të drejtën, ju keni një harmoni shumë të mirë. Ju keni disa raste si Arizona që u kthyen në vitin 1864 dhe një gjykatës mori një vendim, por ai do të ndryshohet nga qeveria. Ata do ta ndryshojnë atë. Unë nuk jam dakord me këtë”, tha ish Presidenti Trump.

Nënpresidentja Harris thotë se ajo që po ndodh në Arizona është pjesë e asaj që ajo e quan "sulm serioz" të zotit Trump ndaj të drejtave riprodhuese.

“Pra, kështu mund të duket një mandat i dytë i zotit Trump. Më shumë ndalime të abortit, më shumë vuajtje dhe më pak liri. Ashtu siç bëri në Arizona, ai në thelb dëshiron ta kthejë Amerikën në vitet 1800. Por ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha ajo.

Fushata e zotit Biden shpreson që nisma për të përfshirë çështjen e abortit në fletëvotim në zgjedhjet e nëntorit në Arizona do t'i ndihmojë demokratët të fitojnë në këtë shtet të pavendosur, ashtu si në nismat e ngjashme në Kanzas dhe Ohajo, ku republikanët humbën në dy vitet e fundit.

Zoti Trump dukej se pranoi dobësitë elektorale të abortit, duke u thënë mbështetësve: “Ju duhet të vendosni me zemër për këtë çështje, por mbani mend, ju duhet të fitoni edhe zgjedhjet.”

XS
SM
MD
LG