Lidhje

Në Nju Jork, shqiptarët grumbullojnë fonde për kandidatin për president John Kerry - 2004-05-26


Ndërkohë që fushata për Shtëpinë e Bardhë vazhdon me intensitet, grupe me interesa të caktuara po përpiqen të tërheqin vëmendjen e kandidatëve për president, duke organizuar veprimtari për të grumbulluar fonde për fushatën zgjedhore të kandidatit. Të hënën në Nju Jork u zhvillua një darkë për të mbështetur fushatën e kandidatit demokrat John Kerry. Në darkë merrnin pjesë një numër politikanësh të njohur amerikanë.

Aktori i njohur amerikan, Sam Waterson, ka dalë në këtë skenë jo për një rol teatral, por për të bashkuar zërin e tij me veprimtarë të tjerë që duan të sjellin zotin Kerry në Shtëpinë e Bardhë.

Vetë zoti Kerry vazhdonte fushatën gjetkë, kur u organizua kjo veprimtari. Por një numër politikanësh, të njohur si përkrahës të shqiptarëve, ishin ftuar për të marrë pjesë, ndër ta gjenerali në pension Wesley Clark, ligjvënësi Eliot Engel dhe ambasadori Richard Holbrooke:

Ndjehem mjaft i nderuar nga përkrahja që shqiptaro-amerikanët më dhanë mua, kur vura kandidaturë për zgjedhjet presidenciale. Siç e dini, kur u largova nga gara, shpreha përkrahjen time për John Kerrin. Ne do ta ndihmojmë John Kerrin të bëhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, tha gjenerali në pension.

Ligjvënësi Eliot Engel, mik i shqiptarëve dhe një ndër anëtarët më aktivë të Kongresit amerikan për çështjet e shqiptarëve, theksoi se ndjen kënaqësi të madhe nga puna në të mirë të kombit shqiptar. Ai u kujtoi të pranishmëve vendimin e presidentit Klinton për të ndërhyrë në mbrojtje të shqiptarëve në vitin 1999.

Ne kemi shpëtuar jetët e shumë njerëzve dhe, ashtu siç bëra kur shkova në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së presidentit Klinton dhe i thashë se nuk mund të lejojmë spastrim etnik në Kosovë, dhe ai më premtoi se do të ndërmerrte veprimet e duhura, e di se edhe po të zgjidhet zoti Kerry do t’i shkoj në zyrë për t’i kërkuar të bëjë ato që duhet për popullin shqiptar.

Ambasadori Richard Holbrooke e cilësoi veprimtarinë si një mundësi tjetër për të bërë më shumë për popullin shqiptar. Ai i bëri thirje komunitetit shqiptaro-amerikan për të tërhequr sa më shumë njerëz në mbështetje të zotit Kerry.

"Kjo administratë nuk ka bërë asgjë dhe nuk do të bëjë asgjë nëse fiton një mandat të dytë. Isha në Prishtinë, Beograd dhe Sarajevë në tetor, dhe theksova se Serbia ka përpara një rast historik për të zgjedhur ose Evropën ose Kosovën. Nëse vendosin të zgjedhin Kosovën, do të përfundojnë duarbosh, pasi nuk do ta kenë as Kosovën. Por administrata e presidentit Bush nuk ka bërë asgjë. Bazuar në biseda private që kam patur, Presidenti Bush do të tërhiqet nga Kosova, sapo t’i jepet mundësia. John Kerry nuk do t’i lërë gjërat në këtë pikë, por do të veprojë," tha zoti Holbrooke.

Shqiptaro-amerikanët që morën pjesë u përpoqën të tërhiqnin vemendjen e zotit Kerry për çështjet shqiptare. Dhe ata e dinë se për këtë do t’u duhet të përdorin kontributin e tyre financiar. Ndërsa politikanët e ftuar angazhojnë vetëm kohën e tyre për veprimtari të tilla, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë duhej të paguanin një minimum prej 1 mijë dollarësh për të marrë pjesë. Fondet e grumbulluara i dërgohen ekipit të zotit Kerry për të financuar fushatën.//ii

XS
SM
MD
LG