Lidhje

Britani, arrestohet një 23 vjeçar për sulmin në Mançester


Policia britanike tha se ka arrestuar një të ri 23-vjeçar në lidhje me sulmin në Mançester, për të cilin u njoftua se ka marrë përgjegjësinë Shteti Islamik.

Të paktën 22 persona u vranë dhe 59 të tjerë u plagosën gjatë shpërthimit dje në mbrëmje në të dalë të arenës ku zhvillohej një koncert i yllit të muzikës pop Ariana Grande.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se incidenti po trajtohet si sulm terrorist, më vdekjeprurësi që nga sulmet e korrikut të vitit 2005 në sistemin e transportit në Londër, kur kishin humbur jetën 52 veta.

Policia tha se sulmuesi hodhi veten në erë pak pas orës 10 e 33 sipas kohës lokale në arenën që ka hapësirë për 21 mijë veta. Në mesin e të vdekurve ka edhe fëmijë.

Zyrtari i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins, tha se "në këtë periudhë besohet se sulmi është kryer nga një person. Përparësi mbetet përcaktimi nëse ai ka vepruar i vetëm apo ishte pjesë e një rrjeti".

Ai tha se sulmuesi ka vdekur në arenë. "Ne besojmë se ai mbante me vete një mjet të improvizuar shpërthyes".

Të martën rreth mesditës, policia britanike shkroi në twitter se ka arrestuar një 23 vjeçar ne lidhje me sulmin. Arrestimi është kryer në jug të qytetit, tha policia por pa dhënë hollësi të tjera.

Një dëshmitare që kishte ndjekur koncertin tha se kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm që u pasua nga klithmat dhe vrapi i mijëra njerëzve që po përpiqeshin të largoheshin nga arena.

Këngëtarja 23 vjeçare, Ariana Grande, shkroi më pas në rrjetin twitter: "e dërmuar. Nga zemra, më vjen shumë shumë keq. Nuk kam fjalë".

Kryeministrja Theresa May dhe udhëheqësi i laburistëve, Jeremy Corbyn, janë marrë vesh të pezullojnë fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit.

Të martën, Grupi militant Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë për sulmin, të cilën më herët zyrtarët amerikanë e krahasuan me sulmet e bashkërenduara të nëntorit të vitit 2015 nga militantët islamik në sallën e koncerteve Bataclan dhe pjesë tjera të Parisit, që lanë pas vetes mbi 130 të vrarë.

Bota dënon sulmin në Mançester

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e dënoi ashpër sulmin në Mançester, që sipas tij është kryer nga "humbës të ligë".

Duke folur në Bethlehem gjatë një takimi me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, ai tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në solidaritet të plotë me britanikët.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke shprehur pikëllimin e saj tha se "ky sulm i dyshuar terrorist vetëm do të forcojë vendosmërinë tonë për të punuar me miqtë tanë britanikë, kundër atyre që planifikojnë dhe kryejnë akte të tilla çnjerëzore. Unë i sigurojë njerëzit në Britani se Gjermania qëndron pranë jush”, tha ajo.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u shpreh i tmerruar me faktin se në mesin e viktimave të sulmit ka edhe fëmijë.

Sulmi u dënua edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti kinez, Xi Jinping.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG