Lidhje

Email-e të reja të Hillary Clintonit


Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë publike një grup tjetër e-mailesh nga mesazhet zyrtare të zonjës Clinton të dërguara nga adresa e saj private në periudhën kur ishte Sekretare e Shtetit. Nga rreth 7 mijë faqe mesazhesh 150 janë klasifikuar tashmë si material sekret. Kandidatja kryesore e Partisë Demokratike ka humbur gradualisht mbështetje ndërkohë që është thelluar debati për çështjen e email-it të saj. Kriza duket se do të vazhdojë, pasi mbi gjysma e mesazheve të zonjës Clinton nuk janë shqyrtuar akoma.

Sondazhet më të fundit tregojnë se që nga muaji maj, Hillary Clinton ka humbur 20% të mbështetjes së votuesve demokratë dhe se kandidati tjetër Bernie Sanders po i afrohet. Në shtetin Iowa, ai është vetëm shtatë pikë pas saj, ndërsa ia ka kaluar tashmë në New Hampshire. Të dyja këto shtete janë thelbësore për zgjedhjet paraprake.

“Nuk është anti-Clinton. Është një mesazh pro-Bernie Sanders, një mesazh i fuqishëm që thotë ‘mjaft më’.”

Analistët e lidhin humbjen e saj me çdo botim të ri të mesazheve që u dërguan nga serveri i saj privat. Nga mesazhet e fundit të bëra publike rreth 150 janë klasifikuar si sekrete, krahas 63 të mëparshmeve.

Departamenti i Shtetit sqaroi se asnjë nga email-et nuk përmbante materiale që ishin të klasifikuara në kohën e dërgimit.

“Megjithëse diçka nuk konsiderohej si sekrete në kohën e dërgimit, për arsye të ndryshme mund të lindë nevoja me kalimin e kohës për ta klasifikuar si të tillë.”

Zonja Clinton thotë se ka zbatuar rregullat e kohës kur janë dërguar mesazhet.

“E kam thënë disa herë se nuk kam marrë apo dërguar materiale sekrete dhe kam besim se në fund të këtij proçesi kjo do të dalë qartazi. Do të provohen deklaratat e mia.”

Analistët thonë se edhe nëse ka të drejtë, ajo nuk e ka menaxhuar mirë këtë debat.

“Ajo nuk ka natyrshmëri. Shëmbëllen si e programuar dhe e ngrirë. Po, ajo thotë gjërat e duhura për çështje si barazia, paga minimale etj. Pra, përdor fjalorin e duhur, por i mungon afërsia me votuesin amerikan.”

Sidoqoftë, zgjedhjet presidencial janë mbi një vit larg dhe analistët thonë se zonja Clinton ka ende kohë për përmirësim.

XS
SM
MD
LG