Lidhje

Shpërthime pranë autobusit të ekipit Borussia Dortmund - një i plagosur


Tri shpërthime në afërsi të autobusit me të cilin po udhëtonin lojtarët e njërit prej ekipeve më të njohura gjermane të futbollit, lanë pas vetes një lojtar të plagosur.

Shpërthimet goditën autobusin e ekipit Borussia Dortmund, derisa po shkonte në lojën e çerekfinales së Ligës së Kampionëve me Monacon.

Policia tha se po heton nën dyshimet se shpërthimet janë shkaktuar nga "mjete serioze" që mund të jenë fshehur në afërsi të një vend parkimi.

Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth mjeteve shpërthyese apo autorëve të mundshëm që mund t'i kenë vendosur ato para ndeshjes e cila u shty për të mërkurën.

Policia tha se shpërthimet ndodhën derisa autobusi po largohej nga një hotel në periferi të Dortmundit për në stadium, rreth 10 kilometra më tej.

Dritaret e autobusit janë dëmtuar dhe mbrojtësi spanjoll, Marc Bartra, është plagosur.

Ai është dërguar në spital me plagë në krah dhe në dorë, por nuk ka pësuar ndonjë plagë të rrezikshme për jetën.

Brenda stadiumit mbështetësit e Monacos që luan në ligën franceze, brohoritën "Dortmund, Dortmund" në shenjë mbështetje për ekipin gjerman. Banorët e Dortmundit shfrytëzuan rrjetet sociale për të ofruar strehim për mbështetësit e Monacos.

Stadiumi u braktis për një kohë të shkurtër dhe pa incidente.

Ministri gjerman i drejtësisë, Heiko Maas, shkroi në twitter, "lajm tronditës. mendimet tona janë më Borussia Dortmundin".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG