Lidhje

Harlemi dhe historia e banorëve të tij


Harlemi është një prej lagjeve më të famshme amerikane dhe tani po bëhet edhe një destinacion i rëndësishëm për turistët që duan të mësojnë rreth historisë së afrikano-amerikanëve. Muzeumet e kësaj lagjeje së bashku me dyqanet dhe restorantet po e afrojnë Harlemin edhe më pranë destinacioneve të njohura si Time Square dhe Central Park.

Këta të rinj po bëjnë një tur të pazakonte në rrugët e Harlemit duke mësuar reth historisë së kësaj lagjeje dhe muzikës hip-hop.

Guida, Reggie Reg, dikur anëtar i grupit të viteve 70-të “Crasg Crew” ka mënyrën e vet të rrëfimit.

“Shumë njerëz kanë interes të zgjedhin turin tonë sepse do të vizitojnë vendet që pak kush i di. Nuk duan të shikojnë botën virtuale në Time Square. Duan të shohin komunitetin, Nju Jorkun.”

Këto lloj guidash janë shembull i rritjes së etjes për të mësuar mbi historinë e afrikano-amerikanëve në Harlem.

Në Teatrin Apollo, vizitorët mund argëtohen me natën e komedianëve amatorë apo të mësojnë rreth historisë së tij ku nuk kanë munguar figura si James Brown, B.B. King dhe Aretha Franklin.

Por për turistët si Emilie Fessineau nga Franca, Harlemi është tjetër lagje nga ajo që kishte dëgjuar.

“Më kishin thënë se Harlemi është vend i rrezikshëm. Por u befasova kur erdha këtu sepse kjo ishte një gojëdhënë.”

Ndërkohë numri i vizitorëve në Qendrën Kërkimore Schomburg për Kulturën e Zezakëve, nga 100 mijë vizitorë në vit në 2011 tashmë ka kaluar në 300 mijë.

Ky vit shënon edhe 75 vjetorin e Teatrit Amerikan Zezak. Me këtë rast do të zhvillohet një panair me foto, dhe relike nga vitet 1940, kur mes artistëve të ndryshëm që interpretonin ishte edhe Sidney Poiter.

Khalil Gibran Muhammad është me Qendrën Kërkimore Schomburg për Kulturën Zezake.

“Prania dhe rëndësia – veçanërisht e muzikës hip-hop në argëtim nga afrikano-amerikanët, e bën Harlemin edhe më të rendësishëm për njerëzit që duan të vizitojnë këtë vend që ata ta përjetojnë këtë pjesë të kulturës.”

Harlemi po ashtu po ndryshon mendimin që disa vizitorë si Siri Borsum nga Norvegjia, kishin dikur për këtë lagje.

“Ndryshe nga sa kishim dëgjuar në Oslo, njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm dhe miqësorë.”

Qyteti i Nju Jorkut çdo vit thyen rekordet për turizmin. Sipas statistikave nga kompania e marketingut të qytetit, vitin që kaloi qyteti pati rreth 56.4 milion turistë. Parashikimet për këtë vit shkojnë deri në 58 milion vizitorë, thotë Fred Dixon me NYC & Company.

“Kemi shifra rekord kur flitet për popullaritetin e turizmit dhe kjo mund të vihet re në gjitha lagjet e qytetit. Turistët duan të përjetojnë të jetuarit si banorët lokalë.”

Harlemi është lagja e dytë më e kërkuar në Manhattan pas lagjes Midtown.

XS
SM
MD
LG