Lidhje

SHBA ndihmon kurdët në Kobani


Ushtria amerikane thotë se ka hedhur nga ajri armatime, municione dhe pajisje mjekësore për kurdët që janë duke mbrojtur qytetin verior të Sirisë, Kobanin, nga militantët e Shtetit Islamik. Kjo mund t'i tensionojë marrëdhëniet mes SHBA dhe Turqisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Victor Beattie njofton se ky mision i veçantë me furnizime u realizua, ndërsa Sekretari i Shtetit John Kerry vizitoi Xhakartën, në përpjekje për të përfshirë edhe udhëheqësit e Azisë Juglindore, në atë që një zyrtar amerikan e cilësoi "përpjekje globale për të luftuar esktremizmin global."

Komanda Qendore amerikane thotë se tre avionë të tipit C-130 hodhën me sukses nga ajri furnizime në rrethinat e Kobanit, përfshirë armatime të lehta të siguruara nga autoritet kurde të Irakut. Furnizimet nga ajri, të parat në luftimet për qytetin kufitar me Turqinë, synonin "t'i vinin në ndihmë rezistencës së vazhdueshme kundër përpjekjeve të ISIL-it për të marrë kontrollin e Kobanit."

Në deklaratën e Shteteve të Bashkuara thuhet se 135 sulme nën udhëheqjen amerikane pranë Kobanit kanë ndihmuar në ngadalësimin e përparimit të ISIS-it në një betejë që Pentagoni këmbëngul se ka lënë qindra luftëtarë xhihadistë të vdekur.

Të premten e kaluar, Kreu i Komandës Qendrore Amerikane Gjenerali Lloyd Austin, tha se këto sulme ajrore, si në Siri, edhe në Irak, synojnë dobësimin e komandës dhe kontrollit të IS-it, aftësinë planifikuese të luftimeve, si dhe qëndrueshmërinë e aftësisë luftuese të grupit terrorist.

"Jemi duke patur efektet e dëshiruara dhe jemi duke kërkuar fakte për këtë jo vetëm në vlerësimet për betejën tonë, por ajo që është më e rëndësishme, jemi duke vënë re ndryshime në sjelljen e armikut dhe taktikat e tij, gjë që pasqyron zbehjen e afësive të tij dhe kufizimin e lirisë së lëvizjes. Për shembull, ne nuk i shohim më ata të lëvizin përreth rajonit me autokokona të mëdha. Tani ata lëvizin kryesisht me automjete civile, të pakta në numër. Kjo lidhet me pengimin e aftësisë së tyre për t'u grumbulluar dhe për të zhvendosur fuqinë e tyre ushtarake. Po ashtu kemi vënë re ndryshimin e metodave të tyre të komunikimit, si frenimi i aftësisë për të koordinuar dhe sinkronizuar përpjekjet e tyre."

Gjenerali Austin thotë se grupi ISIS e ka bërë përpjekjen e vet kryesore marrjen e kontrollit të Kobanit dhe paralajmëroi se qyteti pranë kufirit me Turqinë, përsëri mund të bjerë në duart e tyre, edhe pse ai ndjehet i inkurajuar nga vendosmëria e luftëtarëve kurdë për t'i bërë rezistencë përparimit të grupit.

Studjuesi i shkencave politike në Korporatën RAND Rick Brennan, i cili ka qenë oficer karriere, thotë se refuzimi i Turqisë për të ndihmuar luftëtarët kurdë, e ka penguar përparimin kundër Shtetit Islamik.

"Refuzimi nga Turqia për të lejuar përdorimin e bazave të veta nga SHBA për bombardimin e ISIS-it, si dhe mungesa e gadishmërisë së Ankarasë për të lejuar luftëtarët kurdë nga Turqia t'u bashkohen, ose t'i ndihmojnë me furnizime luftëtarët kurdë në Kobani, janë duke patur një ndikim negativ tek operacionet afatgjatë që vazhdojnë në Kobani."

Analisti Brennan shton se Turqia ka problemet e veta me kryengritjen e pakicës kurde dhe i ka bërë thirrje koalicionit nën drejtimin amerikan që t'i kundërvihet presidentit sirian

Bashar al-Assad për t'i dhënë fund luftës civile që vazhdon në Siri që nga marsi i vitit 2011.

Presidenti Barack Obama bisedoi të shtunë në mbrëmje në telefon me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me situatën në Kobani dhe hapat që mund të merren për të mos lejuar avancimin e Shtetit Islamik. Ata u zotuan të bashkëpunojnë për forcimin e bashkëpunimit kundër ISIS-it.

Zoti Erdogan la të kuptohet të dielën se ai do të kundërshtonte furnizimin me armë të luftëtarëve kurdë në Kobani, duke e cilësuar grupin kryesor kurd të Sirisë, PYD, (Partia Demokratike Kurde e Unionit) dhe krahun e vet ushtarak, njëlloj si Partia PKK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) në Turqi, të cilën si Ankaraja, edhe Washingtoni e kanë quajtur organizatë terroriste.

Analisti Brennan thotë se interesat e Ankarasë janë të ndryshme nga ato të Shteteve të Bashkuara:

"Turqia është kryesisht e interesuar që opozita kurde të mos fuqizohet shumë në Turqi dhe pastaj të luftojë me Asadin dhe me ISIS-in, ndërsa Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, i shohin kurdët si aleatët e tyre në rajon, në luftën kundër ISIS-it."

Vullnetarët i kanë thënë Zërit të Amerikës, se autoritetet turke nuk i kanë lejuar aktivistët nga Franca, Gjermania dhe disa vende evropiane të çojnë në Kobani ilaçe dhe furnizime ushqimore, tepër të nevojshme për popullsinë e atjeshme. Ari Harki, aktivist nga Franca, tha se autoritetet turke jo vetëm që janë duke ndaluar furnizimet jo-vdekjeprurëse, por po ashtu janë duke mos i lejuar luftëtarët kurdë që të ri-hyjnë në Siri për të luftuar me militantët.

Në Indonezi, ku ishte për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Joko Widodo, Sekretari i Shtetit John Kerry, kërkoi mbështetjen nga Azia për luftën kundër militantëve të ISIS-it, në mënyrë specifike, për të mos lejuar rekrutimin e luftëtarëve të huaj nga ky grup. Ai u takua me zyrtarë nga Indonezia, Australia, Brunei, Malajsia, Filipinet dhe Singapori.

Eksperti për Indonezinë Peter McCawley, në Universitetin Kombëtar Australian, thotë se qeveria e Indonezisë jo medoemos ka kontroll të madh tek komuniteti mysliman në vendin më të madh mysliman në botë.

"Komuniteti mysliman në Indonezi dhe në mbarë botën nuk është i bashkuar. Ata nuk kanë psh një udhëheqës të vetëm. Nuk kanë askënd si Papa, apo si Dalai Lama, nuk kanë një person që të flasë në emër të komunitetit mysliman dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Indonezinë. Atje ka disa grupe fetare islamike dhe disa nga komunitete myslimame jo medoemos e njohin autoritetin e qeverisë ndaj tyre."

Një zyrtar që shoqëroi sekretarin Kerry thotë se ka shpresa se Indonezia dhe fqinjët e saj me popullsi kryesisht myslmane, Malajzia dhe Brunei, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në konfrontimin ndaj ekstremizmit islamik. Ai thotë se SHBA kërkojnë një bashkëpunim më të madh mes vendeve të Azisë Juglindore për të bllokuar rekrutimin e luftëtarëve të huaj, për të mos lejuar kthimin e tyre në rajon, Shtetet e Bashkuara kërkojnë prej këtyre vendeve demaskimin dhe diskreditimin e propagandës ekstremiste dhe bllokimin e financimit të tyre të paligjshëm.

XS
SM
MD
LG