Lidhje

BE konfirmon zgjerimin në Ballkan – por me kushte të rrepta


Ministrat e jashtëm të BE-së debatuan sot për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit të përfshira në procesin e zgjerimit.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, mirëpritën ndërtimin e institucioneve të Kosovës duke tërhequr vëmendjen në detyrimet që ndodhen përballë tyre. Kjo ishte pjesë e përfundimeve të takimit të Këshillit të Ministrave, i cili konfirmoi vazhdimin e politikës së pranimit të vendeve të reja në bllok, por me kushte të rrepta. Ministrat theksuan se forcimi i sundimit të ligjit është thelbësor për ardhmërinë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ata po ashtu kanë thënë se “vëmendje urgjente” duhet t’iu kushtohet reformave në sistemin gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirisë së mediave dhe të drejtave të pakicave. Në Ballkanin Perëndimor është e rëndësishme edhe toleranca, thuhet në përfundimet e takimit, ku dënohet çdo formë e shprehjes së urrejtjes.

Në përfundimet për Kosovën, Këshilli vlerëson tejkalimin e bllokadës politike dhe formimin e institucioneve të Kosovës duke u bërë thirrje atyre që të angazhohen në reforma sikundër edhe në bisedimet me Beogradin.

Kosova përballet me sfida që kërkojnë vullnet të fortë politik, ndërsa vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet sundimit të ligjit, përfshirë pavarësinë gjyqësore dhe intensifikimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in, thuhet në përfundimet e Këshillit, ku i kërkohet Kosovës që të trajtojë me përparësi ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të merret me pretendimet e ngritura nga grupi i posaçëm hetues i Bashkimit Evropian për krime lufte në Kosovë.

Duke përshëndetur përparimin e deritashëm të Kosovës, këshilli tërheq vëmendjen se Kosova ka nevojë që të merret me mangësitë e shfaqura në dialogun për liberalizimin e vizave, duke përfshirë zbutjen e rreziqeve që paraqesin çështjet e sigurisë dhe të migrimit për këtë proces.

Nevoja për reforma strukturore ekonomike që trajtojnë nivelin e lartë të papunësisë është duke u bërë urgjente, thuhet në përfundimet e Këshillit ku kërkohen edhe reformat zgjedhore, të administratës publike si dhe masa për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Kosova duhet të vazhdojë të ketë angazhim konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Këshilli, do të vazhdojë të ndjekë nga afër angazhimin e saj drejt përparimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të ecin drejt rrugës evropiane, duke shmangur mundësinë që ta bllokojnë njëra – tjetrën.

Bisedimet që çuan në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i mundësuan Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, përparimi i saj në këtë rrugë varet nga rezultatet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Komisionari i fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johanes Hahn, ka deklaruar se qeveria e Serbisë ka pasur mundësi të zbatojë disa pjesë të marrëveshjeve pa pasur nevojë të pres krijimin e institucioneve të Kosovës, një arsyetim që është përmendur shpesh nga autoritetet serbe.

Po ashtu edhe Kosova tha ai, duhet të zbatojë disa çështje dhe nuk mund të arsyetohet me palën tjetër. “Është e vërtetë se disa çështje kërkojnë bashkëpunimin e të qeverive, ndërsa një pjesë e madhe janë të tilla që duhet të përmbushen nga secila qeveri”, tha zoti Hahn.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha të hënën se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre do të rifillojnë në muajin janar të vitit 2015.

XS
SM
MD
LG