Lidhje

Ndërroi jetë akademik Pajazit Nushi


Në moshën 82 vjeçare ndërroi jetë akademik Pajazit Nushi, një ndër personalitetet të shquara të shkencës, arsimit e kulturës në Kosovë.

Të mërkurën në Prishtinë ndërroi jetë akademik Pajazit Nushi. I lindur në vitin 1933, në Gjakovë, në Kosovën perëndimore, ai përfundoi shkollimin fillor e atë të mesëm në vendlindje ndërsa studimet në Beograd.

Në vitin 1983 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, kur edhe ligjëroi deri në pensionimin e tij.

Ai ushtroi edhe detyra të ndryshme administrative në Kosovë dhe në ish – federatën jugosllave, kryesisht me çështje të organizimit të sistemit arsimor, të punës shkencore dhe të krijimtarisë kulturore dhe artistike.

Për një kohë të gjatë ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë dhe pas luftës ju përkushtua çështjes së ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Për një kohë udhëhoqi edhe bisedimet për këtë çështje ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Drejtuesit më të lartë të Kosovës ngushëlluan familjen por edhe qytetarët me rastin e vdekjes së akademik Nushit, të cilin presidentja Atifete Jahjaga e cilësoi simbol të dijes dhe të paqes.

XS
SM
MD
LG