Lidhje

Jahjaga: Zgjidhja e krizës – në duart e udhëheqësve politik


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shpjegime shtesë lidhur me vendimin e kësaj gjykate për anulimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit të Kosovës.

Blloku politik i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kërkuan të enjten nga presidentja Jahjaga që ajo t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë lidhur me pikën 127 të aktgjykimit të saj rreth postit të kryetarit të Parlamentit.

Më 22 gusht gjykata kushtetuese shpalli të pavlefshme zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Kosovës në seancën e 17 korrikut dhe i njohu Partisë Demokratike të drejtën që të propozojë kryetarin e Parlamentit. Por, kjo parti nuk ka vota të mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin. Në pikën 127 të vendimit të gjykatës thuhet se u takon deputetëve që të gjejnë një zgjidhje.

Blloku pas zgjedhor beson se brenda kësaj pike mund të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit nga radhët e këtyre partive me çka do t’i jepej fund bllokadës politike që ka lënë vendin për gati pesë muaj pa institucione të dala nga zgjedhjet parlamentare.

Në përgjigjen e presidentes Jahjaga, dërguar partive te bllokut, thuhet se “duke marrë parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë parasysh rolin kushtetues të Presidentes si faktor i unitetit të popullit, e vlerësoj kërkesën tuaj, por besoj se është detyrë, obligim dhe përgjegjësi e të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, si deputetë të zgjedhur të Kuvendit dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës, të punoni së bashku për të gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme”.

Në përgjigje thuhet mes tjerash se “zgjidhja duhet të gjendet brenda parimeve të përcaktuara, për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, që do të punojnë në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe që do të përmbushin edhe pritjet e qytetarëve të vendit dhe gjithashtu edhe detyrimet kundrejt bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidentja e vlerëson të domosdoshme që udhëheqësit e partive politike parlamentare të pajtohen që të mblidhen në një takim të përbashkët në zyrën e saj për të gjetur një zgjidhje “përbrenda këtij kuadri të përcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetutës dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Presidentja Jahjaga ka zhvilluar takime të ndara me partitë politike në përpjekje për të lehtësuar dialogun politik, por deri tash nuk ka pasur ndonjë ndryshim qëndrimesh të partive.

XS
SM
MD
LG