Lidhje

NATO, manovra ushtarake në vendet balltike


Forcat e NATO-s kanë filluar një manovër ushtarake stërvitore në shkallë të gjerë, 250 kilometra larg kufirit me Rusinë, në një veprim që shihet si një demonstrim në praktikë i mbështetjes për shtetet balltike, të cilat mund të përballen me shfaqjen e forcës nga Rusia.

Manovrat ushtarake pranë kryeqytetit Riga të Letonisë, u shoqëruan me avionë, automjete dhe rreth 500 parashutistë amerikanë, kanadezë dhe italianë. Ishte një manovër e përbashkët, e cila u zhvillua në një bazë ajrore në juglindje të qytetit.

Provat ushtarake filluan të premten në mbrëmje, vetëm disa orë pasi udhëheqësit e NATO-s që morën pjesë në takimin e Britanisë, ranë dakord t'i shkallëzojnë manovrat në Evropën Lindore me një forcë të re të reagimit të shpejtë, në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

Manovrat në Letoni janë pjesë e një operacioni të shkallë të gjerë të NATO-s, që po zhvillohet edhe në Estoni, Gjermani, Lituani dhe Poloni. Rreth 2 mijë ushtarë nga nëntë vende të NATO-s po marrin pjesë në manovra, të cilat janë në plan të përfundojnë të hënën.

XS
SM
MD
LG