Lidhje

Vendimi i UEFA-s, reagime në Tiranë


Komisioni disiplinor i Uefa-s vendosi sot që t’i japë një fitore në tavolinë, 3-0, Serbisë për ndeshjen e futbollit me Shqipërinë, e luajtur javën e shkuar në Beograd, por më pas e ndërprerë për shkak të incidenteve të dhunshme në fushë ku hynë tifozët serbë. Uefa, i ka hequr ndërkohë tre pikë nga klasifikimi edhe Serbisë, e cila do të duhet gjithashtu të luajë dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi, pa tifozë. Të dyja kombëtaret e futbollit janë gjobitur me nga 100 mijë euro. Vendimi u prit me zhgënjim në Tiranë, duke u cilësuar si i padrejtë. Federata e futbollit njoftoi menjëherë se do të bëjë ankim.

Vendimi i UEFA-s, reagime në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Federata shqiptare e futbollit thirri një konferencë urgjente menjëherë pas vendimit të marrë nga Uefa, duke e cilësuar atë si të padrejtë e duke njoftuar pa mëdyshje ankimimin e vendimit në të dyja shkallët e apelimit të këtij organizmi.

“Duket një vendim i cuditshëm. Ne do ta godasim me forcë nga pikëpamja juridike. Do të bëjmë ankimin në komisionin e Apelit. Lufta juridike do të vazhdojë”, deklaroi Artan Hajdari, përfaqësuesi ligjor i FSHF-së.

Për përfaqësuesit e Federatës, vendimi duket i ndikuar politikisht dhe vendos një simetri të pakuptimtë mes dy ekipeve.

“Serbia praktikisht nuk është dënuar. Sepse kjo nuk përputhet as me rastet e më parshme, kur kanë ndodhur një e dhjeta e shkeljeve dhe janë përjashtuar dhe humbur ndeshje në tavolinë”, u shpreh anëtari i Komitetit ekzekutiv të Federatës shqiptare Bardhyl Minxhozi.

Nga ana e tij trajneri italian i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi, në faqen e tij në internet shkruan se ndjehet “i zhgënjyer nga një vendim që nuk jep drejtësi. E kuptoj komisionin, por beso se është e vështirë për ne të pranojmë një vendim që na nxjerr të humbur në të gjitha aspektet. Na hoqën edhe atë që fituam në fushë”, shkruan De Biasi, duke shtruar më pas pyetjen se “cfarë do të duhej të ndodhte me tepër?”

Vendimi i Uefas provokoi një valë të përgjithshme zhgënjimi dhe zemërimi në rrjetet sociale, ndërsa nuk munguan reagimet e shumta edhe politike. Kryeministri Edi Rama thirri një konferencë të posacme për shtyp.

“Duke thënë Shqipëria e humbet ndeshjen në tavolinë pse nuk u fut në fushë, ndërsa Serbia nuk i merr pikët pse tifozët hynë në fushë, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës”, u shpreh zoti Rama.

Nga ana tjetër opozita e akuzoi kryeministrin se nuk kishte reaguar si duhur:

“Kjo padrejtësi e vendimit të UEFA vjen jo vetëm si rrjedhojë e lobimit serb, por edhe si mungesë e angazhimit të shtetit tonë. Ky vendim vlerëson dhunën dhe racizmin, por vlerëson edhe qendrimin e Ramës që inisistoi për vizitën në Beograd dhe nuk e denoncoi fuqishëm atë akt të shëmtuar, sikur të mos kish ndodhur asgjë, e sikur të kishte barazi mes palëve. Ndaj edhe UEFA e kishte të lehtë të vendoste barazinë”, deklaroi deputeti demokrat Gerti Bogdani.

Por kryeministri Rama tha se “politika e brendshme e UEFA-s nuk ridimensionohet me sulme verbale të qeverive dhe vendimet që burojnë nga kjo politikë, nuk ndikohen as ndryshohen duke i hapur luftë politike UEFA-s. Kush i jep këto receta primitivizmi ballkanik përveçse i inatosur, është edhe krejt i paditur”.

Kreu i qeverisë deklaroi se e vetmja rrugë është vazhdimi i betejës për të marrë drejtësi në të gjitha shkallët e gjykimit

XS
SM
MD
LG