Lidhje

May: Është koha për qëndrim më të ashpër ndaj terrorizmit


Kryeministrja britanike Theresa May ka dënuar ashpër sulmet e fundit terroriste në Londër, që lanë shtatë persona të vdekur dhe 48 të plagosur. "Mjaft më!" u shpreh zonja May, duke theksuar nevojën për masa më të ashpra kundër terrorizmit.

Kryeministrja britanike Theresa May i bëri komentet në një fjalim drejtuar vendit, një ditë pas sulmit terrorist në Londër.​

"Ne besojmë se po përjetojmë një prirje të re në kërcënimin me të cilin përballemi ndërsa terrorizmi ushqen terrorizmin dhe autorët janë të frymëzuar për të sulmuar jo vetëm në bazë të komploteve të organizuara me kujdes pas shume vitesh planifikimi dhe trajnimi ose radikalizimit në internet, por duke kopjuar njëri-tjetrin dhe duke përdorur shpesh metodat më të egra të sulmeve".

Kryeministrja May tha se ndërsa sulmet e fundit nuk janë produkte të të njëjtave rrjete, ato lidhen nga "e njëjta ideologji e keqe", që pretendon se "vlerat perëndimore të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nuk përputhen me fenë islame".

Zonja May tha se ka “një tolerancë tepër të madhe për ekstremizmin në vendin tonë. Ne duhet të jemi më të fortë në identifikimin dhe mposhtjen e ekstremizmit në shërbimet publike në mbarë shoqërinë tonë”.

Tre persona ishin të përfshinë në sulmin e mbrëmshën në Londër, ku shtypën dhjetëra njerëz me një furgon që po e ngisnin me shpejtësi të lartë, dhe pastaj në tregun e frutave dhe perimeve, Borough Market ata zbritën nga furgoni dhe goditën me thikë shumë njerëz.

Policia tha se tre autorët e sulmit u vranë nga forcat e sigurisë, tetë minuta pas telefonatës së parë nga shërbimet emergjente. Policia tha se jelekët e veshur nga sulmuesit që dukeshin si bomba vetëvrasëse, ishin të rreme. Policia dyshon se ato u përdorën nga sulmuesit për të shkaktuar frikë dhe panik.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan, dënoi sulmin dhe tha sot se banorët e Londrës duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë pasi niveli i kërcënimit nga terrorizmi është i lartë.

"Njerëzit duhet të mbeten të qetë dhe vigjilentë, të vazhdojnë veprimtarinë e tyre normale. Niveli i kërcënimit mbetet i lartë, që do të thotë se sulme të tjera terroriste në vend janë të mundshme. Prandaj të gjithë duhet të jemi vigjilentë. Nëse shihni ndonjë gjë të dyshimtë ose keni ndonjë shqetësim për sigurinë, ju lutem njoftoni autoritetet."

Khan dhe kryeministrja britanike Theresa May sot morën pjesë në një takim urgjent të grupit qeveritar të krizave.

Sulmi i së shtunës në një prej urave kryesore të kryeqytetit britanik dhe në lagjen pranë tregut të frutave dhe perimeve, Borough Market ishte sulmi i tretë terrorist në Britani që nga marsi i këtij viti.

Shtëpia e Bardhë tha të shtunën vonë se Presidenti Donald Trump ofroi "mbështetjen e plotë" të Amerikës në hetimin e "sulmeve terroriste" në Londër, gjatë një telefonate me kryeministren britanike, Theresa May.

Departamenti i Shtetit tha përmes një deklarate se “i dënon sulmet qyqare që kishin në shënjestër civilët e pafajshëm në Londër”. “Mësojmë se policia britanike tani po i trajton këto ngjarje si incidente terroriste. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë çdo lloj ndihme që Britani mund të kërkojë për këtë çështje”, thuhet më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Në një sulm të ngjashëm ndaj këmbësorëve në Urën Westminster dhe një shpërthim vetëvrasës me bombë më pak se dy javë më parë në Mançester u vranë dhjetëra njerëz dhe plagosën mbi 100 të tjerë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG