Lidhje

Çfarë pritet nga takimi Trump – Abbas?


Shpresat vështirë se mund të jenë më të pakta për një arritje diplomatike, ndërsa Presidenti palestinez Mahmoud Abbas dhe Presidenti amerikan Donald Trump pritet të takohen për herë të parë të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Trump tha javën e kaluar se nuk sheh ndonjë arsye pse të mos ketë paqe midis Izraelit dhe palestinezëve. Edhe presidenti Abass deklaroi kohët e fundit se një marrëveshje “historike” për t'i dhënë fund konfliktit izraelito – palestinez është e mundur nën udhëheqjen e presidentit Trump.

Zoti Abbas, i cili kryeson Autoritetin Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor ka qëllime modeste për vizitën. Sipas zyrtarëve palestinezë, një nga objektivat e tij kryesore do të jetë thjesht të dëgjojë planin e zotit Trump për ringjalljen e bisedimeve të paqes.

Por analistët thonë se Mahmud Abbas gjithashtu shpreson ta përdorë takimin për të përmirësuar popullaritetin e tij si brenda dhe jashtë territorit palestinez.

"Me këtë vizitë, ai do të përpiqet të tregojë se ka një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe se do të jetë e vështirë të bëhet diçka pa të," thotë Dennis Ross, i cili ka qenë negociator i paqes në Lindjen e Mesme nën tre administrata amerikane.

Popullaritet në rënie

Zoti Abbas është gjithnjë e më pak popullor në territoret palestineze. 82 vjeçari është në vitin e 12-të të atij që duhej të ishte një mandat pesëvjeçar presidencial. Një sondazh i kohëve të fundit tregon se dy të tretat e palestinezëve duan që ai të japë dorëheqjen, dhe janë të pakënaqur me rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit brenda qeverisë. Partia e tij Fatah gjithashtu përballet me një sfidë serioze nga Hamasi, grupi rival palestineze që kontrollon Rripin e Gazës.

Presidenti Abbas rrezikon gjithashtu të lihet mënjanë në planet e zotit Trump për të ringjallur bisedimet e paqes izraelito-palestineze. Në vend që të ndjekë bisedime të drejtpërdrejta mes të dy palëve, presidenti Trump ka sugjeruar angazhimin e vendeve arabe për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.

Kjo qasje mund të bazohet pjesërisht në Nismën Arabe të Paqes të vitit 2002, e cila bëri thirrje për krijimin e një shteti palestinez në territoret e pushtuara nga Izraeli në këmbim të marrëdhënieve të normalizuara midis Izraelit dhe vendeve arabe.

Strategji e paqartë

Sa ndikim do të kishte zoti Abbas në bisedime të tilla rajonale është i paqartë. Por nëse presidenti Trump planifikon të angazhojë udhëheqës arabë që t’i bëjnë presion udhëheqësit palestinez për të bërë lëshime, kjo mund të mos funksionojë, paralajmëron William Quandt, ish-negociator amerikan për paqe në Lindjen e Mesme.

Drejtimi i bisedimeve të paqes është bërë më i zbehur, si rezultat i deklaratave kontradiktore të zotit Trump mbi çështjen izraelito-palestineze.

Në shkurt, presidenti Trump u duk se po hiqte dorë nga qëndrimi i hershëm amerikan për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, kur njoftoi gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu se ai ishte i hapur për alternativa të tjera veç zgjidhjes me dy shtete.

Megjithëse diplomatët amerikanë më vonë i siguruan zyrtarët palestinezë se SHBA mbeten të përkushtuara ndaj idesë së një shteti palestinez, shumë palestinezë vazhdojnë të vënë në dyshim nëse presidenti Trump do të jetë një ndërmjetës i paanshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG