Lidhje

Trump pret në Florida Presidentin e Kinës Xi Jinping


Presidenti amerikan Donald Trump priti të enjten Presidentin e Kinës Xi Jinping në kompleksin e tij të pushimeve në Florida për një takim dy ditësh, ku udhëheqësi i Shteteve të Bashkuara do t’i kërkojë Pekinit të angazhohet më shumë për t’i bërë presion Phenianit që të ndalë programin e armëve bërthamore.

Presidenti i Kinës mbërriti në Florida të enjten pasdite, i shoqëruar nga bashkëshortja, dhe u prit nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.

Xi Arrival
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Pa dhënë shumë hollësi, Presidenti Trump tha këtë javë se: “Nëse Kina nuk zgjidh problemin e Koresë së Veriut, do ta zgjidhim ne vetë”. Administrata e tij po analizon mundësinë e sanksioneve kundër bankave dhe kompanive kineze që i lejojnë Phenianit qasje në burime financiare ndërkombëtare.

Korea e Veriut merr nga Kina thuajse të gjitha importet e saj me naftë, mallra konsumi dhe lëndë të parë për prodhim industrial, si dhe materiale për programin e saj bërthamor.

Por Kina po shfaq shqetësim në rritje lidhur me tendencat e militarizimit të udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un, i cili ende nuk ka vizituar ndonjëherë Kinën gjatë sundimit të tij gjashtë vjeçar. Një numër sanksionesh nga OKB nuk kanë dhënë rezultatin e dëshiruara për të ndalur provat bërthamore të Phenianit, i cili vuri ditët e fundit në provë një raketë balistike të lëshuar nga një nëndetëse.

Presidentët Trump dhe Xi, të cilët drejtojnë dy ekonomitë më të mëdha të botës, zhvillojnë takimin e tyre të parë, ku përfshihen dy ditë bisedime dhe një darkë së bashku me bashkëshortet në komleksin buzë detit, Mar-a-Lago.

Presidenti Trump that të enjten se nuk është i sigurtë si do të ecin bisedimet, duke shtuar “Do të jenë interesante. Askush nuk e di vërtetë si do shkojnë”.

Të mërkurën, zoti Trump tha se adresimi i programit bërthamor të Koresë së Veriut do të kishte qenë “shumë më i lehtë nëse do të ishte trajtuar vite më parë”. Por udhëheqësi amerikan tha se e mirëpret këtë sprovë.

Dy udhëheqësit pritet të diskutojnë edhe çështje tregtare, në veçanti hendekun e madh mes eksporteve kineze për në Shtetet e Bashkuara dhe mallrave amerikane që Amerika eksporton në Kinë, të cilat përfaqësojnë deficitin më të thellë tregtar për Amerikën që në 2016 arriti në 310 miliardë dollarë.

Në një postim në Twitter javën e kaluar, zoti Trump tha se takimi i tij me udhëheqësin kinez do të ishte “shumë i vështirë, pasi nuk mund të lejojmë më një deficit masiv tregtar dhe humbje të vendeve të punës”.

Analistët kanë spekuluar se zoti Xi mund t’u ofrojë Shteteve të Bashkuara më shumë investime kineze që do të hapnin vende pune për amerikanët, një ndër premtimet kryesore të zotit Trump.

Gjatë administratës së Presidentit Obama, marrëdhëniet kino-amerikane u përqëndruan disa herë në përpjekjet për të pakësuar gazet ndotëse për mjedisin në dy vendet që krijojnë ndotjen më të madhe të planetit. Por zoti Xi dhe zoti Trump po ndjekin dy kurse krejt të kundërta lidhur me luftën kundër ndotjes së mjedisit.

Takimi në Mar-a-Lago pritet të përkufizojë natyrën e marrëdhënieve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë administratës Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG