Lidhje

Kandidatët demokratë në prag të debatit


Pesë pretendentët për kandidaturën presidenciale të Partisë Demokrate takohen në debatin e tyre të parë të martën e ardhshme në Las Vegas të Nevadës. Ish-Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton vazhdon të kryesojë në anën e demokratëve, por asaj po i bëhet një sfidë të fortë e papritur nga senatori i Vermontit Bernie Sanders.

Hillary Clinton po kërkon votat në Nju Hempshër dhe po shpreh emocione të pazakonta me thirrjet për kontrollin e armëve.

“Shumë nga prindërit e këtyre fëmijëve të çmuar që u vranë kanë marrë dhe po mbajnë mbi supe pikëllimin e paimagjinueshëm dhe po përpiqen të jenë zëri që duhet të dëgjojmë.”

Por shifrat në anketat e opinionit kanë rënë për zonjën Clinton pas debateve që përfshijnë llogarinë e saj të email-it privat ndërsa shërbente si Sekretare e Shtetit.

“Ishte një gabim. Kërkoj falje për këtë. Marr përgjegjësinë dhe po përpiqem të jem sa më transparente.”

Për të përmirësuar imazhin e saj zonja Clinton doli në programin satirik Saturday Night Live në kanalin NBC.

Megjithatë rivali kryesor i zonjës Clinton, senatori nga Vermonti Bernie Sanders, vazhdon të ngjitet në anketa duke tërhequr turma të mëdha në mitingje dhe duke arritur të frymëzojë edhe konservatorët në Universitetin Liberty në Virxhinia.

“Ne jetojmë në vendin më të pasur në historinë botërore. Por shumica e amerikanëve nuk e dinë këtë pasi pothuajse e gjithë kjo pasuri dhe të ardhura shkojnë tek vetëm një përqind e shoqërisë.”

Nënpresidenti Joe Biden ende nuk e ka vendosur në se do të hyjë në garë pas vdekjes së djalit të tij Beau, në maj, dhe i tha drejtuesit të programit Late Show në CBS, Stephen Colbert se mbetet i dyzuar.

“Mendoj se asnjë burrë apo grua nuk duhet të garojë për president nëse, së pari nuk e di asryen përse kërkon të jetë president. Së dyti, ata duhet të shohin njerëzit në sy dhe t’u thonë, 'ju premtoj me gjithë zemër, me gjithë shpirt me gjithë energjinë dhe pasionin tim të punoj për ju.”

Anketat tregojnë se shumë demokratë do të ishin të hapur për një kandidaturë të zotit Biden, thotë analisti Norm Ornstein.

“Shumë demokratë janë të shqetësuar për çështjen e email-ave të zonjës Clinton dhe kjo ngjall disa shqetësime të vjetra me Clinton-ët dhe mënyra sesi ata janë në shënjestër të republikanëve, të medias dhe disa nga plagët e vet-shkaktuara.”

Dyshimet rreth zonjës Clinton kanë shqetësuar disa demokratë thotë John Fortier.

“Mund të mos jetë fakti që janë të pakënaqur me Hillary Clinton-in, por a duan të shohin ata dikë tjetër në garë? Ata nuk duan t’ja japin asaj votën pa patur shansin të ketë një figurë tjetër të rëndësishme në garë.”

Zoti Biden nuk do të marrë pjesë në debatin e parë të demokratëve, por pritet të vendosë së shpejti nëse do të hyjë në garë.

XS
SM
MD
LG