Lidhje

Lista e të akuzuarve në lidhje me FIFA-n


Individët e përfshirë në aktpadinë e autoriteteve federale përfshijnë drejtues të lartë të organizatës si dhe të kompanive private. Më poshtë një listë e individëve dhe përgjegjësive që kishin:

Jeffrey Webb, 50 vjeç nga Ishujt Kejman. Aktualisht nënpresident i FIFA-s dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv; president i Konfederatës së Shoqatave të Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet; anëtar i Komitetit Qendror të Unionit të Futbollit për Karaibet; president i Shoqatës së Futbollit të Ishujve Kejman.

Eduardo Li, 56-vjeç nga Kosta Rika, anëtar i zgjedhur i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s; anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Konfederatës së Shoqatave të Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet; president i Federatës së Futbollit të Kosta Rikës.

Julio Rocha, 64 vjeç nga Nikaragua, zyrtar i FIFA-s për zhvillimin; ish-president i Unionit të Futbollit për Amerikën Qendrore; president i Federatës së Futbollit të Nikaraguas.

Costas Takkas, 58 vjeç nga Britania, atashe pranë presidentit aktual të Konfederatës së Shoqatave të Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet; ish sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Futbollit të Ishujve Kejman.

Eugenio Figueredo, 83 vjeç me dy-shtetësi, amerikane dhe uruguajane; aktualisht nënpresident i FIFA-s dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv; ish-president i Konfederatës së Futbollit për Amerikën e Jugut; president i Federatës së Futbollit të Uruguajt.

Rafael Esquivel, 68 vjeç nga Venezuela; aktualisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Konfederatës së Futbollit për Amerikën e Jugut dhe president i Federatës së Futbollit të Venezuelës.

Jose Maria Marin, 83 vjeç nga Brazili, aktualisht anëtar i komitetit organizator të FIFA-s për ndeshjet e futbollit në kuadër të Olimpikeve; ish-president i Konfederatës së Futbollit të Brazilit.

Jack Warner, 72 vjeç nga Trinidad e Tobago, ish-nënpresident i FIFA-s dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv; president i i Konfederatës së Shoqatave të Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet; president i Unionit të Futbollit për Karaibet; këshilltar special për Federatën e Futbollit të Trinidadit e Tobagos. Ai dha dorëheqjen nga të gjitha postet më 11 qershor 2011, duke rezultuar në mbylljen e një procesi të Komisionit të Etikës të FIFA-s kundër tij.

Nicolas Leoz, 86 vjeç nga Paraguaj, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe president i Konfederatës së Futbollit për Amerikën e Jugut.

Kompani dhe subjekte private nën akuza

Katër nga të akuzuarit ishin drejtues të kompanive të marketingut: Lista përfshin:

Alejandro Burzaco, 50 vjeç nga Argjentina, zotërues i paketës kontrolluese të aksioneve në kompaninë e marketingut për artikuj sportivë Torneos y Competencias S.A., dhe filialeve të saj.

Aaron Davidson, 44 vjeç nga Shtetet e Bashkuara; president i kompanisë Traffic Sports USA Inc.

Hugo dhe Mariano Jinkis, zotërues të paketës kontrolluese të aksioneve në kompaninë Full Play Group S.A., një biznes për marketingun e artikujve sportivë me seli në Argjentinë dhe të filialeve të saj. Hugo Jinkis, 70 vjeç dhe Mariano Jinkis, 40 vjeç, janë shtetas argjentinas.

Një prej të akuzuarve punonte për një kompani mediatike, por sipas aktpadisë ka vepruar si ndërmjetësues për të mundësuar pagesat e paligjshme mes drejtuesve të kompanive të marketingut dhe zyrtarëve të FIFA-s.

Jose Margulies, 75 vjeç nga Brazili, zotërues i paketës kontrolluese të aksioneve në kompanitë Valente Corp dhe Somerton Ltd.

Të mërkurën u bënë publike edhe akuzat ndaj katër subjekteve private dhe dy kompanive që pranuan fajësinë:

Më 15 korrik 2013, i akuzuari Daryll Warner, 40 vjeç, i biri i Jack Warner, ish-zyrtar i FIFA-s për zhvillimin, pranoi fajësinë për dy akuza për afera korruptive dhe ndërmjetësim të transaksioneve financiare. Daryll Warner është shtetas amerikan dhe i Trinidad e Tobagos.

Më 25 tetor 2013, i akuzuari Daryan Warner, 46 vjeç pohoi fajësinë për tre akuza për komplot për pastrim parash dhe mundësimin e transaksioneve financiare. Daryan Warner pranoi të dorëzojë 1.1 milionë dollarë fitime në kohën kur pohoi fajësinë dhe ka rënë dakord të paguajë një këst të dytë në kohën e shpalljes së dënimit. Daryan Warner është me shtetësi të Trinidad e Tabagos dhe Grenadës.

Më 25 nëntor 2013, i akuzuari Charles Blazer, 70 vjeç, ish sekretar i përgjithshëm i Konfederatës së Shoqatave të Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet dhe ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s pranoi fajësinë për 10 akuza për afere korruptive, komplot për transferim të paligjshëm parash, evazion fiskal për të ardhurat dhe mosdeklarimin e një llogarie bankare jashtë vendit. Blazer pranoi të kthejë 1.9 milionë dollarë fitime në kohën kur pranoi fajësinë dhe ka rënë dakord të paguajë një këst të dytë, shuma e të cilit do të përcaktohet në kohën e shpalljes së dënimit. Blazer është shtetas amerikan.

Më 12 dhjetor 2014, i akuzuari Jose Hawilla, 71 vjeç, pronar dhe themelues i kompanisë braziliane The Traffic Group për marketingun e artikujve dhe aktiviteteve sportive, pranoi fajësinë për katër akuza për afere korruptive, komplot për tranferime të paligjshme fondesh, komplot për pastrim parash dhe pengim të procesit të drejtësisë. Hawilla ra dakord to kthejë mbi 151 milionë dollarë, nga të cilat ai pagoi 25 milionë në kohën e deklarimit të fajësisë. Ai është nga Brazili.

Më 14 maj 2015, kompanitë Traffic Sports USA Inc, e regjistruar në Shtetet e Bashkuara dhe Traffic Sports International Inc, e regjistruar në Ishujt e Virgjër Amerikanë, pranuan fajësinë për transferime të paligjshme parash.

Të mërkurën u krye një bastisje e urdhëruar nga gjykata në zyrat e Konfederatës së Shoqatave të Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibet me seli në Miami të Floridës. Të dhënat e mësipërme janë marrë nga aktpadia e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

XS
SM
MD
LG